LIDHJA SHQIPTARE E LEZHËS

 

1                                                            . Principata e Kastriotëve

 

Kastriotët e kanë origjinën nga Hasi i Kuksit. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, mund të jetë larguar nga Hasi dhe të jetë vendosur si pronar i dy fshatrave në luginën e Drinit të Zi (Sinjës dhe Gardhit të poshtëm).

 

Zotërimet e Kastriotëve filluan të zgjeroheshin që në fund të shek. XIV nga biri i Palit, Gjon Kastrioti. Në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XV, Principata e Kastriotëve arriti fuqizimin e saj më të madh. Ajo siguroi daljen në detin Adriatik, ku kishte skelën dhe qendrën doganore të Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat dhe, pranë saj, kriporet e Shënkollit.
 
Në lindje principata shtrihej të paktën deri në rrethinat e Gostivarit dhe kufizohej me zotërimet e vjehrrit të Gjonit që banonte në krahinën e Pollogut. Gjon Kastrioti ishte i lidhur më bregdetin e Egjeut ku ndodhej manastiri i Hilandarit, të cilit ai i dhuroi dy fshatra në rrethinat e Gostivarit dhe i bleu një kullë. Në këtë manastir jetoi si murg një djalë i tij ku dhe u varros.
  

Principata e Kastriotëve në veri kufizohej më Principatën e Dukagjinëve dhe në jug me principatat e Arianitëve dhe të Topiajve. Në Principatën e Kastriotëve kalonin rrugë të rëndësishme që lidhnin viset qendrore më ato jugore e veriore si dhe viset perëndimoreme ato lindore të vendit; në të ishin përfshirë një numër i konsiderueshëm kështjellash dhe qendrash ekonomike si Prizreni, Shufadaja, kriporet e Shënkollit, kështjella e Gurit të Bardhë, ajo e Stelushit etj.

 

Pozita dhe rëndësia strategjike e Principatës së Kastriotëve bëri që Gjon Kastrioti të kishte lidhie të shumta politike e martesore më principatat e tjera shqiptare. Ai hyri në marrëveshje ekonomike dhe politike të ngushta edhe më vendet e huaja, aq sa Venediku dhe Raguza në fund të viteve ‘30 të shek. XV u dhanë Gjonit dhe djemëve të tij privilegje dhe të drejtën e qytetarisë.

 

  
2. Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut
 (deri më 1443)

 

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogel, dhe fëmija i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familia e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza ( Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën). Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Kur osmanët morën Krujën (në fund të vitit 1414 ose në fillim të vitit 1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (ndoshta Stanishin) u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

 

Për një periudhë rreth 10-vjecare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të posanënshtruarve e vasalë, për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane, si komandantë të zotë e feudalë të bindur.

 

Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem. Ishte mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij ia vu emri mysliman Skender dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël. Luftonte mbi kalë e më këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.

 

Pasi mbaroi shkollën e içollganëve, Skender hyri në kuadrot ushtarake dhe mori titullin e beut, duke pëparuar shpejt në karierë shtetëore: nga spahi arriti deri në postin e lartë të sanxhakbeut.

 

Në mesin e viteve ‘20 ai u dërgua në Shqipëri  dhe qëndroi si kuadër i Perandorisë osmane deri në fund të viteve ‘30. Si spahi Skënderbeu pati një timar të madh në zonën midis Lezhes dhe Rubikut, ku ndodheshin edhe porti i Shufadasë dhe kriporet e Shënkollit. Në vitet 1437-1438 Skënderbeut iu tha posti i subashit të Krujës, kurse me detyrën e sanxhakbeut të Sangjakut Shqiptar ishte i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu.

 

Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri  Skënderbeu, ashtu si dhe Jakup Beu, favorizoi elementin shqiptar në marrëdhënie me administratën osmane dhe u kujdes për mbarëvajtjen e Principatës së Kastriotëve.

 

Në fund të viteve ‘30 kur në Ballkan po fillonin trazirat antiosmane, sulltan Murati II transferoi Jakup Beun dhe Skënderbeun nga postet e larta që kishin në Shqipëri. Emërimin e tij si sanxhakbej larg Shqipërisë, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë. Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një “gradim”, por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij dhe ndaj elementit shqiptar që ishte përfshirë në administratën e shtetit osman, (aq më tepër që në atë kohë atij i kishte vdekur i ati dhe dy vëllezër dhe në krye të Principatës duhej të vihej ai me Stanishin).

 

  
Kryengritja e përgjithshme çlirimtare (nëntor 1443)

 

Në fillim të viteve 40 të shek. XV në Evropë po gjallëroheshin shpresat për dëbimin e osmanëve nga Ballkani. Në këtë drejtim kishte vepruar pozitivisht vendimi i bashkimit të kishësh ortodokse më atë katolike, nën kryesinë e kësaj të fundit, dhe disfata e rëndë që pësoi ushtria osmane në shtator të vitit 1442 prej trupave të Mbreterisë së Polonisë dhe të Hungarisë, të komanduara nga Janosh Huniadi.

 

Pas kësaj fitoreje Papa Eugjeni IV veproi aktivisht për të nxitur ballkanasit të ngriheshin kundër pushtuesve osmanë.

 

Në shtator të vitit 1443, Gjergj Arianiti filloi veprimet luftarake në viset qendrore. Kurse më në jug forcat e Gjin Zenebishit kaluan nga rrethinat e Sarandës e të Gjirokastrës në drejtim të kosturit, ku u thyhen prej osmanëve.

 

Në tetor të vitit 1443 trupar polake e hungareze, të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore Shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë. Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe Skënderbeu.
 
Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Skënderbeu u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve. Gjatë kalimit u ndal në Diber, mblodhi menjëherë krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Shumicën e  bashkëluftëtarëve e nisi që të fshiheshin në rrethinat e Krujës, kurse vet u paraqit para autoriteteve osmane të Krujës, sikur ishte riemëruar subash i saj.

 

Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, shpartalloi garnizonin osman. Të nesërmen, më 28 nëntor 1443, kur të gjithë qytetarët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehej Barleci, “të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë”, mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i Kastriotëve.

 

Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkrueshëm në mbarë vendin.

 

Ai i dha një hov të paparë luftës çlirimtare. Pas Krujës, luftëtarët e Skënderbeut çliruan radhazi kështjellat e Petrelës (ne jug të Tiranës), të Gurit të Bardhë në Mat, të Stelushit dhe Sfetigradit në Diber etj. Kryengritja e vitit 1443 perfshiu vise të tera.

 

Si rrjedhojë, në hapësirat e Shqipërisë së Veriut e Qendrore dhe deri te lumenjtë Devoll e Seman u rimëkëmbën një numër principatash e zotërimesh të rëndësishme si ajo e Dukagjinëve, e Stres-Balshajve, e Zahariajve, e Spanëve, e Dushmanëve, në veri të Principatës së Kastrioteve, dhe në jug të saj, Principatat e Arianitëve, e Topijave, dhe ajo e Muzakajve.

 

  
4. Kuvendi i Lezhës dhe forcimi i Lidhjes Shqiptare

 

Menjëherë pas fitores së madhe të vitit 1443 Skënderbeu filloi takimet me princër e fisnikë të tjerë shqiptarë për të gjetur rrugën e bashkimit, pa të cilin nuk mund t’i bëhej ballë fuqisë ushtarake më të madhe të kohës.

 

Për këtë qëllim më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës u mbajt i pari Kuvend Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV, disa prej të cilëve kishin udhëhequr kryengritjet e viteve ‘30. Në kuvend morën pjesë: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia (bashkë me dy djemtë e tij), Gjergj Stres-Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu (dhe disa pjestarë të tjerë të kësaj familjeje), Lekë Zaharia, Pjetër Spani (bashkë më katër djemtë e tij), Lekë Dushmani, Stefan Gojçini (Cernojeviçi) etj.

 
Skënderbeu, si drejtues i Kuvendit, mbajti fjalën e hapjes në të cilën theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve.

 

Kuvendi vendosi që bashkimi të bëhej në formën e një besëlidhjeje, të një aleance ushtarake nëpërmjet drejtuesve të principatave dhe të krerëve të tjerë të vendit, që njihet më emrin Lidhja shqiptarë e Lezhës. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu. Vendim tjetër i rëndësishëm ishte krijimi i ushtrisë së  përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj.

 

 Për të përballuar shpenzimet e ushtrisë, të armatimit të saj etj., Kuvendi vendosi gjithashtu të krijohej një arkë të  përbashkët që do të administrohej nga Skënderbeu. Të ardhurat e saj do të vinin nga kuotat që do të jepnin anëtarët e Lidhjes. Me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qëndror të përfaqësuar nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, të cilin ai e fuqizoi gjithnjë e më shumë për të bashkuar sa më organikisht shqiptarët e viseve të lira shqiptare.

 

 

 

Pjesë leximi

 

1. PJESË NGA FJALA E GJERGJ KASTRIOTIT- SKËNDERBEUT MË 28 NENTOR 1443, MBAJTUR PARA BANORËVE TË KRUJËS (SIPAS MARIN BARLECIT TEK LIBRI “HISTORIA E SKËNDERBEUT” )

 

“...Lirine nuk ua solla une, por e gjeta ketu! Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m'u derdhët me vrap të gjithë, më dualët përpara kush e kush më parë, sikur të kishit dëgjuar që u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishin zbritur ketu gjithë perënditë...Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur!

Lirinë e pashë së e keni kudo, në krahëror, në ballë, në shpatat e në ushtat”.

 

  
2. USHTRIA SHQIPTARE DHE ARTI I SAJ USHTARAK

 

Në kuvendin e Lezhës u vendos që me ndihmesën e pjesëmarrësve të tij të krijohet një ushtri e përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, i cili ishte komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat e Lidhjes Shqiptare kishin karakter federal, sepse princat shqiptarë mbanin një numer të ndjeshëm forcash ushtarake jashtë ushtrisë së përbashkët.

 

Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarët që mobilizoheshin vetem gjatë kohës së luftes. Trupat e përhershme ishin ndarë në dy pjesë kryesore. Njëra përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës të armatosur lehtë, të cilët i stërviste Skënderbeu dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante kështjellat e vendit dhe brezin kufitar në viset lindore.

 

Masen kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës, sipas parimit “burrë për shtëpi”. Kur rreziku ishte i madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin. Në rast mobilizimi të përgjithshëm forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.

 

Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandanti i përgjithshëm. Për t’u kosultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij qëndronte këshilli i luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar, të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve.

 

Në plan strategjik, si detyrë e dorës së parë për forcat ushtarake ishin moslejimi i trupave osmane që të futeshin në brendësi të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes të veçantë. Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër të ushtrisë shqiptare. Kur osmanët futeshin në thellësi të vendit dhe rrethonin Krujën, Skënderbeu i organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë që pesha kryesore e veprimeve luftarake të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj, më të cilën qëndronte vetë heroi.

 

Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtritë armike ishin të larmishme e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, e mësymjes së ushtrisë se rregullt me goditjen e çetave, e ndeshjeve ballore me ato të pusive,  duke futur në përdorim si këmbësorinë ashtu edhe
 kalorësinë e armatosur lehtë.

 


Vëmendje Skënderbeu i kushtoi edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të ushtrisë armike, duke sulmuar karvanet e furnizimit të saj më ushqime e sende të tjera të nevojshme. Ai i kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit për sigurimin e të dhënave më karakter strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrive armike, madhësinë, organizimin, lëvizjen, veprimet luftarake të tyre etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur ajo futej në viset e pushtuara, dhe ata gjendeshin kudo, në krahinat fqinje e deri në qendër të Perandorisë Osmane.

 

 

This free website was made using Yola.

No HTML skills required. Build your website in minutes.

Go to www.yola.com and sign up today!

Make a free website with Yola